Barcelona vazhdon të ecë në drejtim të titullit kampion ndonëse në këto javë të fundit, Tito Vilanova ka preferuar të lërë pushim shumë prej titullarëve, duke treguar qartësisht se po mendon për Ligën e Kampioneve. Në fitoren 3-0 në fushën e Real Saragozës, meritë të madhe kanë pasur lojtarët e rinj, sidomos Tiago Alkantara dhe Tejo, të cilët ishin autorët e golave në këtë sfidë.
Tiago Alkantara ishte në një formë të shkëlqyer, duke u aktivizuar në pozicionin e Iniestas, i lënë pushim nga Vilanova ashtu si Buskets e Mesi, ndërsa Pedro, Pike e Vija uleshin në stolin e rezervave, në rast se do të nevojiteshin shërbimet e tyre. Ishte pikërisht Alkantara që kaloi në avantazh skuadrën në minutën e 20-të të ndeshjes, duke u bërë më pas organizator i çdo aksioni sulmues drejt portës së Saragozës. Falë një pasimi të tij për Tejo vjen edhe goli i dytë, me sulmuesin që dërgon topin në rrjetë me një gjuajtje të saktë. Më pas, Tejo realizoi edhe golin e tretë në pjesën e dytë, pas një aksioni spektakolar, duke kurorëzuar më së miri epërsinë e dukshme në fushën kundërshtare të katalanasve.
Jo rastësisht, në zëvendësimet e kryera nga skuadra katalanase, tifozeria e Real Saragozës ka përshëndetur kundërshtarët me brohorima, duke njohur plotësisht forcën e skuadrës që pritet të shpallet kampione në këtë sezon. (LajmeShqip.com)
Primera Division
Java 31 / Rezultatet
Rajo Vajekano-Real Sociedad 0-2
6′, 14′ Agirretxe
Atletiko Madrid-Granada 5-0
4′ Diego Kosta, 27′, 47′ Falkao, 63′ Raul Garcia, 70′ Filipe Luis
Real Saragoza-Barcelona 0-3
20′ Tiago Alkantara, 39′, 52′ Tejo
Sunday, 14 April 2013 21:24