Ndonëse të gjitha klubet më të njohura evropiane janë ankuar në këtë sezon për cilësinë dhe gafat e gjyqtarëve në Ligën e Kampioneve, vetë UEFA mendon se paraqitja e tyre ka qenë e shkëlqyer. Këtë fakt e ka bërë të qartë Xhani Infantino, Sekretari i Përgjithshëm i këtij institucioni, i cili ka folur për ankesën e Malagas rreth golit në pozicion jashtë loje të pësuar përballë Borusia Dortmund në minutën e 93-të të ndeshjes.
“Nëse një skuadër mundet në minutën e 93-të, kuptohet qartësisht që ka pak zhgënjim dhe shpesh thuhen gjëra që nuk duhen thënë apo që në realitet nuk mendohen. Gjykimi ka qenë i shkëlqyer në Ligën e Kampioneve në këtë edicion”, ishin fjalët e Sekretarit të Përgjithshëm të UEFA-s për BBC.
Kjo deklaratë ka sjellë indinjatë te Malaga dhe jo vetëm. Duhet kujtuar se vetëm në dy fazat e fundit të eliminimit direkt ka pasur gabime të bujshme të gjyqtarëve si kartoni i kuq ndaj Nani në Mançester Junajtid-Real Madrid, goli në pozicion jashtë loje i Ibrahimoviç në PSZH-Barcelona dhe tre gabime teknike në të njëjtin aksion në këtë ndeshje nga gjyqtari Stark, dy golat në pozicion jashtë loje në Borusia Dortmund-Malaga, kartoni i verdhë për Jilmaz në vend të penalltisë në Real Madrid-Gallatasaraj apo një karton i verdhë që nuk ekzistonte i dhënë mbrëmë për Manxhukiç në Juventus-Bajern Mynih. Edhe në këtë rast të fundit, gjyqtari ka gabuar në mënyrë të pabesueshme dukë ndëshkuar lojtarin kroat për një faull që nuk ekzistonte, duke bërë që ai të humbasë ndeshjen e parë gjysmëfinale për skuadrën e tij. (LajmeShqip.com)
Thursday, 11 April 2013 18:41