Malaga dhe Borusia Dortmund kanë lënë të hapur diskutimin për kualifikimin në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve pas ndeshjes së parë të përfunduar me rezultatin e bardhe 0-0. Në një ndeshje mjaft të luftuar, duket se emocionet kanë bërë punën e tyre, pasi skuadrat kanë prodhuar raste por nuk kanë arritur t’i konkretizojnë ato.
Në fakt ka qenë Borusia që është treguar më superiore në lojën e saj, pavarësisht faktit se takimi zhvillohej në Spanjë. Gëtze ka dy herë mundësinë të kalojë në avantazh skuadrën e tij, por gabon para portës duke gjuajtur në të dy rastet në trupin e portierit. Më pas, Malaga rimerr veten dhe bazon gjithçka te loja në ajër, por si Baptista, ashtu edhe Tulalan nuk arrijnë të dërgojë topin në rrjete me gjuajtjet me kokë.
Fillimi i pjesës së dytë dhuron përsëri dy raste të pabesueshme për Gëtze e Levandovski, por po aq të pabesueshme janë gjuajtjet e lojtarëve të Borusias të cilët duket sikur kanë harruar si shënohet, duke gabuar përballë Kabajero.
Zgjimi i Malagas vjen në fundin e takimit, ku Isko ka mundësinë të shënojë golin e fitores, por Vaidenfeler shpëton portën me atë që do të jetë pritja e tij e vetme e rrezikshme gjatë të gjithë mbrëmjes.
Përfundon 0-0 dhe gjithçka shtyhet për ndeshjen e kthimit në fushën e skuadrës gjermane, me Klop që shpreson që brenda 6 ditëve të ardhshme, t’u ketë mësuar përsëri lojtarëve të tij si të shtyjnë topin në rrjetë. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 03 April 2013 23:10