Trajneri i Borusia Dortmund, Jugen Klop, mendon se nervozizmi i tepruar në ndeshjen e parë kundër Malagas bëri që sulmuesit e skuadrës së tij të humbnin raste të pabesueshme para portës kundërshtare. Në konferencën për shtyp para ndeshjes së kthimit me skuadrën spanjolle, ai ka bërë të ditur se ekipi i tij do të mundohet të korrigjojë pikërisht këtë aspekt të lojës.
“Gabimi ynë i madh në ndeshjen e parë nuk është se humbëm raste, por si reaguam pas tyre. Shihej qartësisht se një situatë e tillë na irritoi dhe kjo nuk bën gjë tjetër veçse përforcon kundërshtarët. Duhet të bëjmë më mirë se aq nesër dhe jam i bindur se do ta bëjmë një gjë të tillë”, tha trajneri gjerman.
“Ka dy mënyra për t’u përballur me këtë situatë, duke ndjerë trysninë, ose duke ndjerë mundësinë që na vihet përpara. Ne gjithmonë shohim mundësitë që na shfaqen dhe kjo na ka shërbyer mirë deri tani. Gjithçka ka qenë pozitive, edhe ndeshja e parë. Nuk e kuptoj pse njerëzit prisnin që ne të fitonim lehtësisht ndaj Malagas. Ata janë një kundërshtar i fortë, por ne kemi shanse reale për të kaluar”, deklaroi trajneri i skuadrës që ka shkëlqyer në këtë edicion të Ligës së Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Monday, 08 April 2013 19:12