Mario Gëtze ka kërkuar falje dhe ka pranuar se është shumë i mërzitur për gabimet që ka bërë para portës në ndeshjen që Borusia Dortmund barazoi pa gola përballë Malagas në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. 20 vjeçari kishte tre raste të pastra për të dërguar topin në rrjetë por humbi duelin personal me portierin e spanjollëve, Uilli Kabajero.
“Mund të kisha ndihmuar skuadrën duke shënuar të paktën një gol. Më vjen keq që nuk isha në gjendje ta bëja një gjë të tillë. Por përsëri duhet të jemi të kënaqur me këtë rezultat dhe të mendojmë që kemi ndeshjen e kthimit për të shlyer gabimet”, tha ai.
Në mbrojtje të Gëtze ka dalë shoku i tij i skuadrës, Ilkai Gundogan, i cili mendon se paraqitja mund të cilësohej pozitive, pasi ishte ruajtur rrjeta e paprekur në transfertë, pavarësisht rasteve të shumta të humbura.
“Treguam një paraqitje të mirë për një ndeshje jashtë fushe dhe krijuam shumë raste. Mario kishte 3-4 mundësi dhe zakonisht ai dërgon të paktën një prej tyre në rrjetë. Nuk ishte e thënë të ndodhte këtë radhë, por është gjithashtu e rëndësishme që të ruhet rrjeta e paprekur”, theksoi mesfushori. (LajmeShqip.com)
Thursday, 04 April 2013 09:56