Humbja në minutat shtesë të ndeshjes përballë Borusia Dortmund me një gol të dukshëm në pozicion jashtë loje, ka sjellë reagime të ashpra nga ana e Malagas që nuk e ka pranuar lehtësisht këtë eliminim. I pari që ka folur rreth kësaj teme ishte presidenti i klubit, sheiku Al-Thani, i cili nuk ka ngurruar ta cilësojë këtë një formë racizmi.
“Ky nuk është futboll por racizëm i mirëfilltë. Shpresoj që UEFA të nisë një hetim të mirëfilltë mbi mënyrën sesi një klub spanjoll u largua në këtë mënyrë e cila nuk përputhet me shpirtin sportiv. Faleminderit skuadrës, ju keni qenë kampionë në fushë. Më vjen keq që largohemi në këtë mënyrë, mes padrejtësisë dhe racizmit”, ishte komenti i tij në adresën zyrtare të Twitter.
Sipas mesfushorit Hoakin, një prej lojtarëve më të dalluar të këtij klubi, gjithçka mund të ketë qenë e paramenduar për të larguar Malagan nga turneu.
“Dyshojmë për Platini dhe të gjithë ata që qëndrojnë atje lart, pasi jemi Malaga dhe jo Real Madrid, është shumë më e lehtë ta bësh një gjë të tillë me ne. Kemi paguar për situatën dhe trajneri ka të drejtë kur thotë se një ekip që ka sanksione mbi kokë nuk mund të luajë në finalen e një turneu të tillë. I kemi parë pamjet e golave. Në nivele kaq të larta gjëra të tilla nuk mund të ndodhin, por ne jemi Malaga…”, ishte komenti i mesfushorit spanjoll pas eliminimit të skuadrës së tij. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 10 April 2013 12:37