Kualifikimi në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve ka bërë që Bajern Mynih të cilësohet një prej favoritëve të këtij turneu, por kapiteni i bavarezëve, Filip Lahm, mendon se skuadra që duhet mundur vazhdon të mbetet Barcelona. Sipas tij, katalanasit janë ekipi favorit i turneut.
“Mendoj se nuk ka kundërshtarë të lehtë në gjysmëfinale, të gjithë e meritojnë të jenë atje pasi të katër skuadrat e kualifikuara janë elitare. Mendoj se favorite vazhdon të jetë Barcelona, ndonëse skuadrat e tjera i janë afruar”, tha Lahm që mesa duket kërkon një ndeshje me katalanasit.
Vetë trajneri Heinkes nuk dëshiron që të ketë përballë në gjysmëfinale ekipin e Borusia Dortmund, duke preferuar një ekip spanjoll në sfidën që luhet me sistem vajtje-ardhje.
“Kemi marrë shumë merita në ditët e fundit, por nuk kemi ulur përqendrimin. Jemi kampionë të Bundesligës por i kemi vënë vetes objektiva të tjerë. Tani do të shohim nëse jemi në të njëjtin nivel me Realin dhe Barcelonën”, tha ai.
I të njëjtit mendim është edhe Roben, që preferon një prej skuadrave spanjolle në gjysmëfinale. “E gjithë Gjermania ëndërron një gjysmëfinale pa përplasje me Dortmundin. Këtë do të preferoja edhe unë, ndonëse është në dorë të shortit, jo në dorën tonë”. (LajmeShqip.com)
Thursday, 11 April 2013 10:27