Statusi i favoritit në sfidën kundër Juventusit në Ligën e Kampioneve nuk qetëson trajnerin e Bajern Mynih, Jup Heinkes, i cili nuk e sheh këtë sfidë si të thjeshtë, duke vlerësuar maksimalisht kampionët e Italisë.
“Juventusi është një skuadër italiane, por me një organizim ofensiv shumë të veçantë, me mesfushorët që depërtojnë shumë në sulm. Për këtë arsye duhet të jemi shumë të organizuar, pasi Juventusi është një skuadër që di të sulmojë mirë. Pirlo është një gjeni, por edhe Markizio dhe Vidal janë kampionë të mëdhenj. Por edhe ne kemi kampionë të të njëjtit nivel”, deklaroi trajneri i Bajern Mynih.
“Juventusi është një kundërshtar i veçantë, të gjithë lojtarët dhe trajneri duan të fitojnë gjithmonë, kanë një shpirt luftarak dhe shpesh i ushtrojnë shumë trysni kundërshtarit. Është një skuadër e ndërtuar shumë mirë, ndoshta nuk kam parë asnjëherë një skuadër italiane të organizuar kaq mirë dhe kaq të paparashikueshme në nivelin ofensiv”, ishin elozhet e Heinkes për kundërshtarin e nesërm që do ta presë në “Allianz Arena”.
Rezultati 9-2 ndaj Hamburgut në fundjavë, sipas Heinkes, është diçka krejtësisht tjetër që nuk ka lidhje me Ligën e Kampioneve, ndonëse prova e forcës e bavarezëve ishte mbresëlënëse.
“Të shtunën mund të shpalleshim kampionë, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Kush luajti në atë ndeshje e dinte që bëhej fjalë për një sfidë të veçantë, por nesër do të jetë një ndeshje e një niveli tjetër. Të paktën jam i qetë se të gjithë lojtarët e mi janë të gatshëm të luajnë kundër Juventusit”, deklaroi Heinkes. (LajmeShqip.com)
Monday, 01 April 2013 20:38