Bajern Mynih ka treguar se në këtë sezon kërkon me çdo kusht të shlyejë gabimin e një viti më parë dhe të fitojë Ligën e Kampioneve. Prova e qartë ka qenë fitorja 2-0 ndaj Juventusit, në një ndeshje të dominuar tërësisht nga bavarezët përballë publikut të tyre dhe ku italianët kanë kuptuar se nuk janë ngjitur ende në nivelin për të pretenduar të ecin deri në fazën finale të turneut.
Ekipi gjerman ka qenë edhe me fat në këtë sfidë, pasi ka gjetur golin e avantazhit që në sekondën e 25-të të takimit, me një gjuajtje nga distanca të Alaba që gjen të papërgatitur Bufon. Por ritmi i gjermanëve mbetet i lartë nuk bie dhe Juventusi mbyllet në gjysmëfushën e vet, duke u përpjekur vetëm të largojë topin, pa dhënë asnjë sinjal të lojës ofensive që ka shfaqur në dy sezonet e fundit. Vetëm pritjet e Bufon dhe gabimet e Roben para porte bëjnë që rezultati të mbetet 1-0 në përfundimin e pjesës së parë.
Në pjesën e dytë, furia e vendasve vazhdon deri në minutën e 63-të, kur Myler dërgon topin në rrjetë për herë të dytë. Në ato momente, Juventusi fillon të reagojë disi dhe të vërë në provë Nojer, ku Vidal tenton dy herë nga distanca por pa sukses. Megjithatë, italianët nuk duken në gjendje të shqetësojnë “panderin” e Heinkes që ka siguruar një avantazh të rëndësishëm para ndeshjes së kthimit të javës së ardhshme në Itali. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 02 April 2013 23:32