Legjenda e futbollit gjerman, Franc Bekenbauer, duket se e ka kuptuar që e ka tepruar me komentin e tij ndaj portierit të Juventusit, Xhanluixhi Bufon, të cilin e ka krahasuar me një pensionist pas ndeshjes së Ligës së Kampioneve kundër Bajern Mynih.
“Pësoi gol nga 120 metra, Bufon dukej si pensionist”, ishte komenti i Bekenbauer pas sfidës, duke iu referuar golit të Alaba që në sekondat e para të ndeshjes me një gjuajtje nga distanca që gjeti të papërgatitur portierin e bardhezinjve.
“Më vjen keq nëse Bufon është ndjerë i ofenduar nga fjala pensionist. Nuk kisha si qëllim ta fyeja. Por unë vazhdoj t’i qëndroj mendimit tim se Bufon duhej të kishte ndalur topin si në golin e parë, ashtu edhe në golin e dytë të shënuar nga Bajern”, ishte deklarata e Bekenbauer për gazetën “Bild”.
Ndonëse vetë Bufon ka pranuar me sportivitet batutën e presidentit të nderit të Bajern Mynih, administratori sportiv i Juventusit, Bepe Marota, e ka cilësuar si mungesë respekti deklaratën e “Kaizerit” dhe ka kërkuar publikisht që ai të kërkonte ndjesë ndaj portierit italian, që mbahet ndër më të mirët e historisë së futbollit botëror. (LajmeShqip.com)
Saturday, 06 April 2013 09:19