Trajneri i Bajern Mynih, Jup Heinkes, mendon se skuadra e tij ishte me meritë fituese në sfidën përballë Juventusit dhe ka bërë një hap para me suksesin 2-0 ndaj bardhezinjve në “Allianz Arena”. Sipas tij, gjithçka është meritë e një përgatitje perfekte për këtë sfidë.
“Ne ishim shumë të përgatitur për këtë takim. Mund ta shihje qartësisht në taktikën e lojës që përdorëm. Ne i sulmuam shumë shpejt dhe në mënyrë kolektivë bëmë të mundur që Pirlo të dilte nga loja. Goli i shpejtë na dha siguri dhe luajtëm në mënyrë të shkëlqyer pas tij”.
“Unë e kam studiuar Juventusin gjatë të gjithë kohës. Jemi të lumtur që fituam këtë ndeshje kundër një skuadre italiane pa pësuar gol. Luajtëm një futboll të nivelit shumë të lartë, kontrolluam dhe dominuam ndeshjen përballë kampionëve të Italisë ndaj më duhet t’i bëj komplimente skuadrës time”, shpjegoi Heinkes.
Taktika e përdorur nga bavarezët është arsyeja pse edhe Tomas Myler mendon se erdhi kjo fitore.
“Kemi luajtur me intensitet të lartë në të dy drejtimet. Puna jonë mbrojtëse fillonte që me sulmuesit. Shihej qartë se sa deshëm të fitonim. Nuk është se Pirlo ishte në një ditë të keqe, ne e vumë Juventusin nën trysni që në mbrojtje ndaj i detyruam të luanin vetëm me top të gjatë”, shpjegoi autori i golit të dytë për skuadrën bavareze në këtë sfidë. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 03 April 2013 14:34