Trajneri i Borusia Dortmund, Jurgen Klop, nuk ka ditur si të përshkruajë mirë kualifikimin dramatik të skuadrës së tij në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve përballë Malagas. Deri në minutën e 89-të, skuadra e tij po mundej 2-1 dhe ishte pranë lamtumirës nga turneu, ndërsa më pas, dy gola të Reus e Santana kanë përmbysur rezultatin duke kaluar ekipin në turin tjetër.
“Nuk di si ta shpjegoj këtë që ndodhi. Por edhe unë isha mes dëshmitarëve! Në fund të ndeshjes, të gjithë ishin pranë infarktit! Futbolli duhet të jetë i tillë, kjo është ana më pozitive e futbollit. Sigurisht, në anën tjetër më vjen keq për Malagan, pasi edhe ata dhanë gjithçka”, u shpreh trajneri i ekipit gjerman.
Por tekniku gjerman e pranoi se skuadra e tij ishte paraqitur shumë dobët në këtë sfidë të dyfishtë me spanjollët, ndërsa mendon se emocionet e të luajturit në këto nivele ka ndikuar mbi ekipin.
“Për herë të parë në këtë vit në treguam nervozizëm. Nuk ishim të frymëzuar dhe luajtëm pa shumë lëvizshmëri. Malaga u mbrojt mirë por në anën tjetër, ishte e lehtë të mbroheshe ndaj nesh. Me moralin që kemi shfaqur, e meritojmë kualifikimin. Malaga ishte një skuadër e mirë, por kur arritëm të kalonim topin përpara, gjithçka funksionoi”, u shpreh Klop pas ndeshjes. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 10 April 2013 13:45