Komiteti Teknik i Gjykimit në UEFA ka vendosur të “ndëshkojë” gjyqtarin Vofgang Stark për gabimet që ka bërë gjatë ndeshjes PSZH-Barcelona, të zhvilluar një javë më parë në Paris. Lajmi “jozyrtar” është publikuar nga “Esport3”, e cila ka marrë këtë informacion nga burime brenda komisionit, ashtu si edhe ka siguruar se Stark ka qenë një ndër kandidatët kryesorë për të drejtuar finalen e këtij edicioni në Ligën e Kampioneve apo Europa League.
Komiteti gjykoi se gjyqtari në fjalë ka kryer 3 gabime teknike në të njëjtin aksion, gjëra që nuk mund të ndodhin kurrsesi në nivele të tilla, ku çdo veprim i gjyqtarëve shihet me imtësinë më të vogël.
Tre gabimet për të cilat ai është dënuar, janë në të njëjtin aksion, ku Maskerano dhe Alba u përplasen me njëri-tjetrin në ajër dhe nga ku lindi një rast për Ibrahimoviç, ndërsa në fakt duhej që gjermani të ndalte menjëherë lojën. Pas atij rasti, Stark kërkoi që lojtarët të largoheshin nga fusha e lojës për t’u ndihmuar nga stafi mjekësor, kur rregullorja thotë që një gjë e tillë nuk është e nevojshme kur bëhet fjalë për dëmtimin e 2 apo më shumë lojtarëve. Së fundmi, ai ktheu në fushën e lojës si Alba, ashtu edhe Maskerano, nga vija fundore, kur në fakt duhej të hynin në fushë nga vija anësore. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 09 April 2013 15:03