Trajneri i PSZH, Karlo Ançeloti, ka insistuar se skuadra e tij nuk ka asnjë peng pas eliminimit nga Liga e Kampioneve përballë Barcelonës. Parisienët vunë në vështirësi të dukshme katalanasit në të dy sfidat të cilat u mbyllën në barazime dhe u eliminuan vetëm falë rregullit të golit në fushën kundërshtare.
“Zhgënjimi ynë u harrua dhe nuk na ka mbetur asnjë peng pasi dhamë gjithçka që mundeshim. Ne nuk fituam, por skuadra tregoi se mund të jetë konkurruese në Evropë dhe ky ishte objektivi në këtë sezon. Ndaj ishte një surprizë për mua ta shihja një skuadër me kaq shumë kuraje dhe karakter”.
“Kjo me shumë mundësi ishte një nga ndeshjet më të mira të sezonit ndaj një prej skuadrave më të forta në botë, ndaj mund të cilësohet si një pikë nisje e mirë për të ardhmen. Skuadrës nuk i mungoi asgjë. Ne u mbrojtëm mirë dhe sulmuam mirë, ndoshta një gol tjetër në pjesën e parë do të kishte qenë më mirë. Jam krenar pasi nuk e kam parë asnjëherë Barcelonën të ndeshet me problemet që i krijuam ne”, ishte komenti i trajnerit italian të parisienëve. (LajmeShqip.com)
Saturday, 13 April 2013 10:18