Barcelona do ta përballojë fundin e këtij sezoni me disa mungesa të rëndësishme në pikën më delikate. Dëmtimi i Lionel Mesit ka prishur planet e katalanasve pikërisht në momentin kur ata dukeshin se do të ktheheshin përsëri ekipi i frikshëm i fillimit të sezonit.
Sipas asaj që bëjnë të ditur mediat spanjolle, “Pleshti” ka marrë një dëmtim në kofshën e djathtë dhe pritet të qëndrojë pushim për të paktën 3 javët e ardhshme. Kjo do të thotë se argjentinasi do të mungojë në ndeshjen e kthimit të Ligës së Kampioneve ndaj PSZH që luhet në javën e ardhshme, ndoshta ndeshja më e rëndësishme e këtij sezoni.
Me mungesën e Mesit në fushë, Barcelona ka shfaqur shumë vështirësi në fazën ofensive, e mësuar që të kishte gjithmonë argjentinasin si pikë referimi në repartin e avancuar. Ndaj pa Mesin, PSZH ka shanse teorike që të bëjë çudinë në fushën kundërshtare, duke parë edhe se Ibrahimoviç vuri shumë në vështirësi prapavijën e katalanasve.
Pikërisht mbrojtja është një tjetër repart që ka marrë një goditje të rëndë me dëmtimin e Maskeranos. Ky i fundit, ka marrë një dëmtim në gjurin e djathtë dhe pushimi për të pritet të jetë 6 javë, që me shumë mundësi do të thotë mbyllje para kohe e sezonit. Kjo ka shtuar panikun te katalanasit që aktualisht janë në krizë dëmtimesh në mbrojtje dhe në ndeshjet e ardhshme do të duhet të improvizojnë me një tjetër mesfushor në prapavijë, duke parë se i riu Bartra që u aktivizua në minutat e fundit, nuk jep aq shumë garanci si qendërmbrojtës. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 03 April 2013 11:24