Pohimi i Andres Iniesta se Barcelona ka krijuar varësi ndaj Lionel Mesit dhe nuk mund të shprehet në maksimum pa të, është vërtetuar edhe mbrëmë në ndeshjen kundër PSZH, kur lojtari argjentinas u detyrua të hynte i dëmtuar në fushën e lojës, për të bërë menjëherë diferencën.
Sipas autorit të golit, Pedro, Mesi është arsyeja kryesore pse Barcelona arriti të barazonte ndeshjen dhe të kualifikohej në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve.
“Mesi është një lojtar i rëndësishëm dhe ai u përpoq shumë sapo hyri në fushën e lojës. Ai ishte katalizatori ynë, ne ndryshuam lojën sapo u fut në fushën e lojës dhe duhet ta falënderojmë atë për një gjë të tillë”, tha ai.
Elozhe për argjentinasin kanë ardhur edhe nga David Vija, i cili ka meritë si argjentinasi te aksioni i golit katalanas.
“Leo është lojtari më i mirë në botë, thjesht prania e tij në fushë ndihmoi për të ndryshuar fatin e ndeshjes. Unë thjesht dua ta përgëzoj për përkushtimin ndaj skuadrës dhe futbollit”, tha sulmuesi duke vlerësuar faktin se Mesi kërkoi të luante edhe pse i dëmtuar dhe duke rrezikuar një dëmtim më të rëndë.
Por batutën e ditës e ka lëshuar si zakonisht Dani Alvesh, një prej personave me të cilët argjentinasi shoqërohet më shumë në radhët e ekipit katalanas. “Preferoj më shumë të kem në skuadër një Mesi të dëmtuar sesa shumë lojtarë të tjerë në gjendje të mirë”. (LajmeShqip.com)
Thursday, 11 April 2013 14:18