Zinedin Zidan ka bërë të qartë se do të jetë tifoz i zjarrtë i PSZH në ndeshjen e nesërme kundër Barcelonës “në të mirë të futbollit francez”. Në deklaratat e dhëna për “Radio Monte Carlo”, drejtori sportiv i Real Madrid ka zbuluar se do të ndjekë me vëmendje këtë ndeshje.
“Unë do të jem në stadium dhe do të jem një tifoz i PSZH, në të mirë të futbollit francez. Edhe pse jam nga Marseja, mendoj se do të jetë diçka e bukur të shohësh PSZH duke eliminuar Barcelonën”, ishte deklarata e ish-mesfushorit të Real Madrid.
Zidan ka pranuar se një gjë e tillë do të jetë shumë e vështirë, edhe për faktin se ndeshja luhet në “Kamp Nou”. Por ai beson se parisienët janë të aftë të dhurojnë surpriza të tjera në këtë sezon.
“Do të jetë shumë e vështirë për ta, por besoj se goli i Matuidi në ndeshjen e parë e ka bërë kualifikuesen shumë interesante. PSZH është një skuadër e aftë që të vendosë në vështirësi Barcelonën me lojën dhe individët që ka”, deklaroi Zidan.
Ndeshja e parë mes dy skuadrave, e luajtur në Paris, përfundoi me rezultatin 2-2, pasi Matuidi shënoi golin e barazimit për parisienët në minutën e 4-t shtesë të takimit. (LajmeShqip.com)
Monday, 08 April 2013 12:58