Portieri i Bajern Mynih, Manuel Nojer, ka pranuar se të gjithë në klub do të mbeteshin shumë të zhgënjyer nëse ky sezon do të mbyllej vetëm me trofeun e kampionatit të fituar që të shtunën. Bavarezët janë në rrugë të mbarë për të fituar gjithçka në këtë sezon, pasi po ecin drejt gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve si dhe luajnë në gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë ndaj Volfsburgut në javën e ardhshme.
“Ka qenë një sezon shumë i mirë për ne, deri tani. Mund të jemi krenarë për paraqitjen që kemi bërë në kampionat”, tha 27 vjeçari. “Megjithatë, nëse mbetemi vetëm me këtë trofe të fituar në fund të sezonit, do të jemi shumë të zhgënjyer. Ne kemi pretendime shumë të mëdha dhe e dimë nga sezoni i kaluar se çfarë do të thotë të mbetesh me duart bosh”.
“Motivimi ekstra që morëm nga një eksperiencë e tillë na motivoi më shumë. Solidariteti që u zhvillua brenda skuadrës ishte i mirë për ne. Kuptohet që mund të gëzojmë për atë që kemi arritur në kampionat, por për mua është thelbësore që tani të përqendrohemi plotësisht në dy turnetë e tjerë për t’i fituar ato”, deklaroi Nojer. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 09 April 2013 10:10