Marçelo Lipi dhe Xhovani Trapatoni kanë ide krejtësisht të ndryshme mbi sfidën e të mërkurës në Ligën e Kampioneve mes Juventusit dhe Bajern Mynih. Pas rezultatit 2-0 të sfidës së parë në favor të skuadrës gjermane, Lipi beson se bardhezinjtë mund të përmbysin rezultatin, siç ka ndodhur shpesh në kohët e arta kur ai drejtonte këtë skuadër.
“Në atë ndeshje në fushë nuk ishte Juventusi i vërtetë. Këtë e kuptuan të parët vetë lojtarët bardhezinj dhe shumë prej tyre do të udhëhiqen nga dëshira për përmbysje e shpagim, për të treguar se në të vërtetë nuk janë ata futbollistët që u shfaqën në Mynih. Nuk më pëlqejnë përqindjet, por në teori, rezultati 2-0 është i rikuperueshëm, nëse shënon shpejt ndeshja merr një rrjedhë tjetër. Nëse Juventusi jep maksimumin, përmbysja është e mundshme”, tha Lipi që ka marrë pjesë në katër finale të Ligës së Kampioneve me bardhezinjtë duke fituar një të tillë.
Ndërsa Trapatoni, i cili ka drejtuar si Juventusin, ashtu edhe Bajern Mynih, mendon se skuadra gjermane është shumë e fortë për ekipin aktual të drejtuar nga Konte.
“Gjermanët janë favoritë në këtë sfidë, edhe pse në këtë fazë mund të thuhet vetëm 51%. Bajerni ka futbollistin më të mirë francez, futbollistin më të mirë holandez dhe futbollistin më të mirë gjerman në përbërje, ndaj janë një ekip shumë i fortë”, deklaroi trajneri italian. (LajmeShqip.com)
Monday, 08 April 2013 19:15