Valentino Rosi duket se nuk do të kënaqet vetëm me ngjitjen në podium në këtë sezon, pasi ka kuptuar se është në gjendje të luftojë për fitore, ashtu siç shpresonte në garën e parë të sezonit, të cilën e mbylli në vend të dytë.
“Po, është e vërtetë, dëshiroja të fitoja. Pas provave të paradites e dija që nëse do të nisesha mirë do të mund të qëndroja pranë Lorencos. Kur u nisa mirë, mendova se mund t’ia arrija qëllimit. Kisha një hap të mirë, ishte diçka e bukur dhe jam shumë i lumtur që Jamaha më ka dhënë këtë shans të dytë, pasi mendoj se në këtë sezon mund të argëtohemi shumë”, tha “Doktori”, që ka shpjeguar se si garën e humbi pikërisht në xhirot e para.
“Kalova Doviciozon por mu duk se Pedrosa po hynte në kthesë më ngadalë. E preka më pjesën e përparme të frenës dhe për pak u rrëzova. E teprova për të parakaluar Doviciozon, ndoshta kam gabuar unë dhe nga ai moment, gara ime u bë më e vështirë”.
“Me rrugën bosh eca më mirë, motori ishte perfekt dhe më vinte të qeshja kur shihja se po i afrohesha atyre para. Edhe pse isha më i shpejtë e dija se do të ishte e vështirë, sidomos me Markez, ashtu siç ndodhi. Zakonisht në pjesën e dytë të garës jam gjithnjë më i shpejtë ndaj e dija që nëse i arrija, do t’ia hidhja të treve”, ka pranuar me humor Rosi që tashmë është kthyer përsëri në një kandidat për titullin kampion. (LajmeShqip.com)
Monday, 08 April 2013 11:40