Kampioni i Botës në fuqi i MotoGP, Horge Lorenco me Jamaha, do të nisë nga vendi i parë Çmimin e Madh të Katarit, që është edhe gara e hapjes së sezonit të ri. Piloti spanjoll ka dominuar provat zyrtare, duke arritur të lërë pas Kal Kraçlou me Jamaha Tek 3, me britanikun që pritet të jetë rreziku kryesor ndaj kampionit në garën që zhvillohet sonte në darkë.
Në pjesën e dytë të kualifikueseve, me formatin e ri të përshtatur me atë të stilit të Formula 1, Kraçlou dha i pari një kohë të shpejtë, por Lorenco bëri të qartë se nuk kënaqet asnjëherë me vendin e dytë dhe dhuroi xhiron në kohën 1 minutë e 54.714 sekonda, kur kishin mbetur më pak se dy minuta nga fundi i kualifikueseve, duke lënë pas të gjithë rivalët.
Dani Pedrosa me Honda arriti të siguronte vendin e tretë në vijën e nisjes me një xhiro të shpejtë të fundit, ndërsa “zbulimi” i ditës ishte Andrea Doviciozo me Dukatin, që regjistroi kohën e katërt, një rezultat i papritur nga të gjithë.
Ndonëse Jamaha duket se është shumë para rivalëve të vet, Valentino Rosi ka gabuar përsëri gjithçka duke nisur sezonin nga vendi i 7-të. Strategjia e gabuar në momentin e daljes në pistë për xhiron e shpejtë bëri që piloti italian të ndeshje me trafik dhe të mos tregohej asnjëherë në gjendje për t’iu afruar kohëve të shokut të tij të skuadrës. (LajmeShqip.com)
Sunday, 07 April 2013 10:18