Barcelona ka dërguar në UEFA një protestë formale ndaj gjykimit të ndeshjes me PSZH në Ligën e Kampioneve, ku sipas katalanasve, gjyqtari gjerman Volfgang Stark, ka shkelur rregulloret duke i neglizhuar ato.
Pas përfundimit të ndeshjes me rezultatin 2-2, katalanasit pretendojnë se gjyqtari gjerman nuk di rregulloret e lojës, arsye pse ka bërë gabime fillestarësh në këtë ndeshje. Ata i referohen momentit kur Maskerano dhe Alba u përplasën me njëri-tjetrin dhe mbetën të dëmtuar në fushën e lojës.
.Sipas Barcelonës, gjyqtari nuk ka aplikuar në mënyrë korrekte rregulloren e lojës, pasi në atë moment duhej të ndërpriste në mënyrë automatike ndeshjen. Për më tepër, duhej të lejonte që të dy lojtarët të ktheheshin menjëherë në fushën e lojës, jo të prisnin aksionin e radhës.
“Stark ose nuk e njeh rregulloren, ose e njeh dhe nuk e aplikoi. Në të dyja rastet, sjellja e tij është shumë e rëndë. Nuk po ankohemi për golin e Ibrahimoviç, pasi edhe pse ishte në pozicion jashtë loje të dukshëm, e kuptojmë se gjyqtari dhe asistentët e tij mund të gabohen”, shpjegoi zëdhënësi për shtyp i katalanasve, Toni Freiksa. (LajmeShqip.com)
Friday, 05 April 2013 11:38