Fitorja e Bajern Mynih ndaj Juventus është shoqëruar me thumbimet e zakonshme të një sfide mes një skuadre gjermane dhe një skuadre italiane. Por këtë radhë pjesë e debatit historik është bërë edhe Franc Bekenbauer, i cili nuk ka ngurruar të tallet me portierin e Juventusit, Xhixhi Bufoin.
“Ka pësuar një gol nga 120 metra, çfarë ishte ai pozicionim? Dukej si një pensionist. Të mos nervozohet por atë gjuajtje duhej ta kishte pritur…”, ishte komenti i presidentit të nderit të Bajern Mynih.
“Ndoshta Xhixhi nuk mendonte se Alaba mund të gjuante nga aq larg. Bajerni u përqendrua në ndeshje nga minuta e parë deri në të fundit, ndërsa Juventusi thuajse nuk gjuajti asnjëherë në portë. Rezultati nuk është ai i duhuri, ndeshja duhej të përfundonte me të paktën tre apo katër gola diferencë”, deklaroi ai.
Përballë një deklarate të tillë, pritej një reagim i portierit juventin, por ky i fundit, për kamerat e emisionit satirik italian, “Striscia la Notizia”, ka pranuar me sportivitet gabimin dhe fjalët e Bekenbauer.
“Më vjen keq pasi komprometova ndeshjen. Ndodh në këto lloj aktivitetesh që të bësh gabime. Më vjen keq për veten, për skuadrën dhe për të gjithë familjarët e mi. Nuk kam asgjë për të kundërshtuar atë plakun e mençur”, tha ai duke iu referuar fjalëve të Bekenbauer. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 03 April 2013 21:13