Juventusi ka pranuar publikisht superioritetin e Bajernit në sfidën e parë çerekfinale të Ligës së Kampioneve ku bavarezët fituan lehtësisht me rezultatin 2-0. I pari që është shfaqur para gazetarëve dhe ka pranuar këtë fakt ishte kapiteni i bardhezinjve, portieri Xhixhi Bufon që ka vlerësuar shumë kundërshtarët.
“E dinim që do të luanim kundër një skuadre të madhe, kishim edhe ne bindjet tona, por në fund ishin ata që e stërmerituan fitoren. Kështu shkoi kjo ndeshje. Goli i parë erdhi pas një devijimi të Vidal dhe nuk kisha shumë çfarë të bëjë në atë moment”, shpjegoi portieri i bardhezinjve sesi ishte pësuar ai gol që në sekondën e 25-të, duke ndikuar më pas gjithë ndeshjen.
Superioritetin e kundërshtarëve e ka pranuar pa probleme edhe trajneri Antonio Konte, që i sheh bavarezët mes pretendentëve për të fituar trofeun në këtë edicion.
“Janë një prej favoritëve bashkë me Barcelonën dhe Real Madrid dhe për më tepër janë egërsuar nga humbja në finalen e një viti më parë. Komplimente Bajernit që ka zhvilluar një ndeshje të madhe. Nuk kam çfarë t’u them lojtarëve të mi, dhanë 100% por ata ishin më të fortë”.
“Ndeshje të tilla duhet të na bëjnë të kuptojmë se sa larg jemi ndaj këtyre skuadrave që janë në majat më të larta të futbollit evropian. Për ndeshjen e kthimit do të mundohemi të përmirësohemi aty ku e dimë se mund të bëhet një gjë e tillë. A mund të përmbyset 2-0? Nuk është rezultati që më shqetëson, sa fakti se vihemi përballë një skuadre shumë të fortë”, pranoi trajneri i bardhezinjve. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 03 April 2013 11:18