Argjentina dhe Kolumbia kanë vijuar serinë e fitoreve për t’iu afruar një tjetër hap kualifikimit në Botërorin 2014. Të udhëhequr nga yjet e tyre, Lionel Mesi dhe Radamel Falkao, këto kombëtare kanë treguar se po dominojnë pa shumë probleme zonën e Amerikës së Jugut.
Argjentina fitoi 3-0 përballë Venezuelës me një paraqitjet shkëlqyese të dyshes Mesi-Higuain, ku i pari ka krijuar raste të panumërta për shokun e skuadrës që gjeti dy herë rrugën e rrjetës. Edhe vetë “Pleshti” arriti të shënonte në këtë sfidë, ndonëse e bëri vetëm falë një goditje nga pika e bardhë e penalltisë. Argjentina kryeson grupin me 23 pikë nga 10 ndeshjet e luajtura deri tani, ndërsa ka një avantazh të ndjeshëm prej 4 pikësh ndaj Kolumbisë që e ndjek në vendin e dytë.
Kjo e fundit, vazhdon të shkëlqejë nën drejtimin e ish-trajnerit të Argjentinës, Hose Pekerman, ndërsa ka gjetur rrugën e rrjetës me 5 lojtarë të ndryshëm në suksesin 5-0 ndaj Bolivisë. Torres realizoi golin e avantazhit në pjesën e parë, ndërsa dominimi i plotë i kolumbianëve erdhi në pjesën e dytë kur me radhë, rrugën e rrjetës e gjetën Valdez, Gutierrez, Falkao dhe Armero që plotësuan goleadën. (LajmeShqip.com)
Saturday, 23 March 2013 09:33