Problemet e javës së fundit me protestat për rrogat e prapambetura dhe çështjen e shumëpërfolur të ndeshjes Besa-Tirana, duket se ka shpërqendruar bardheblutë, të cilët janë mundur sot në kryeqytet nga Flamurtari,. Kuptohet që një humbje përballë vlonjatëve nuk mund të cilësohet çudi, por në fakt kjo ndeshja ishte e tillë, pasi në pjesën e parë bardheblutë luajtën mirë dhe fituan 3-1, ndërsa në pjesën e dytë thuajse nuk ekzistuan në fushë dhe vlonjatët shënuan 5 gola.
Pjesa e parë e takimit ka shfaqur Tiranën që luante qartë në sulm, duke krijuar rrezikshmëri të vazhdueshme në portën kundërshtare dhe duke gjetur rrjetën 3 herë me anë të Morinës, Takut e Gilman Likës. Ndërsa Flamurtari dukej në kaos të plotë dhe vetëm një gol i Muzakës ishte shumë pak për këto 45 minuta të para nga një skuadër e ndërtuar me idenë për të luftuar për trofe.
Por pjesa e dytë tregon një tablo tjetër, që hapi vend për dyshime edhe mes tifozëve në tribuna. Tirana thuajse nuk ekziston më në fushën e lojës dhe nga kjo situatë përfiton lehtësisht Flamurtari që gjen rrjetën pa shumë probleme. Pepa (2), Muzaka, Lena dhe Memelli me penallti vulosin 5 golat vlonjatë të pjesës së dytë si dhe suksesin e thellë 6-3 përballë Tiranës që është larguar nga fusha mes kontestimeve të tifozerisë së vet.
Nëse Tirana tashmë ka humbur në mesin e renditjes, Flamurtari vazhdon të luftojë për vendin e dytë, i cili mbetet ende në dorë të Teutës. Durrsakët kanë fituar sot minimalisht 1-0 ndaj Kastriotit falë golit të Jakupit dhe kanë ruajtur diferencën prej 2 pikësh që kanë ndaj ekipit vlonjat. (LajmeShqip.com)
Saturday, 16 March 2013 16:55