Real Madrid zhgënjen përsëri në kampionat, duke u mundur 1-0 në fushën e Granadas dhe duke shfaqur edhe një herë një lojë pa shumë ide, ashtu si në javët e para të kampionatit.
Ndonëse me një formacion më të kompletuar se në ndeshjen kundër Barcelonës së Kupën e Mbretit, skuadra e Murinjos është shfaqur shumë e parashikueshme në këtë takim, ndaj vendasit nuk e kishin shumë të vështirë të neutralizonin sulmet e dyshes Higuain-Kristiano Ronaldo.
Ky i fundit, përveç rasteve të humbura para portës kundërshtare, bëhet protagonisti negativ i skuadrës së tij, kur në minutën e 22-të devijon në portën e vet me kokë një goditje nga këndi, duke i dhënë avantazhin skuadrës së Granada.
Pavarësisht ndërrimeve të Murinjos, i cili aktivizoi Benzema, Kajehon e Marcelo në pjesën e dytë, Reali nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës dhe u largua kokulur nga stadiumi “Los Karmenes”, duke mbetur 15 pikë larg Barcelonës së vendit të parë dhe duke i dhënë mundësinë Atletiko Madrid të thellojë përsëri diferencën në luftën për vendin e dytë. (LajmeShqip.com)
Sunday, 03 February 2013 00:07