Real Madrid duket se ka vendosur t’i japë lamtumirën kampionatit dhe as që sforcohet më për të fituar ndeshjet në këtë kompeticion ku shanset për ta fituar atë janë inekzistente. Pasojë e këtij vendimi duket se është edhe barazimi 0-0 përballë Osasunës, ku Reali pa Ronaldon e pezulluar dhe Benzema e Ozil në stol, ishte thuajse inekzistent në fazën sulmuese.
Kthimi i Higuain, përkrah të cilit luanin Kajehon e Di Maria, nuk solli rezultatet e pritura nga Murinjo, i cili në kundërshtim me ndeshjen e Kupës së Mbretit, këtë radhë nuk u nervozua edhe aq shumë në rastet e diskutueshme kundër skuadrës së tij, edhe ky një sinjal i qartë se cilat janë prioritetet e këtij ekipi në këtë sezon.
Nga kjo ndeshje për madrilenët do të kujtohen vetëm dy momente, të ndara nga pak minuta. I pari është nervozizmi i tepruar i Kaka, që futet në fushë si zëvendësues dhe largohet pas vetëm 18 minutash, pasi mori karton të kuq për dy ndërhyrje të parregullta.
Ndërsa i dyti është goli që iu anulua Kajehon, ku sulmuesi ishte në pozicion jashtë loje milimetrik, duke bërë që të lindin protesta nga madrilenët që pretendonin për një gol të rregullt. (LajmeShqip.com)
La Liga
Java 19 / Rezultatet
Real Vajadolid-Majorka 3-1
22’, 90’ Ebert, 88’ Oskar Gonzalez / 38’ Viktor
Espanjol-Selta Vigo 1-0
24’ Serxho Garsia
Osasuna-Real Madrid 0-0
Saturday, 12 January 2013 22:35