Ronaldinjo dhe Kaka mund të vazhdojnë të ëndërrojnë për një vend në kombëtare dhe për pjesëmarrjen në Botërorin 2014. Kjo është deklarata e bërë nga trajneri i përfaqësueses braziliane, Luiz Felipe Skolari, i cili ka theksuar se nuk paragjykon asnjë lojtar, për sa kohë që ai shfaqet në formën më të mirë të mundshme.
“Nuk kam paragjykime ndaj askujt dhe nuk i mbyll askujt derën para kohe. Kjo është arsyeja pse them se ka një derë të hapur edhe për Ronaldinjo e Kaka. Gjithçka do të varet nga paraqitjet dhe përkushtimi i tyre”, tha ai për “Terra”.
“Sipas mendimit tim, lojtarët që janë mbi 30 vjeç, kanë ende mundësinë të bëjnë mirë dhe të përfaqësohen në Kupën e Botës. Unë dhe Parreira po shohim me kujdes rreth e rrotull duke kërkuar të kuptojmë se çfarë do të bëjmë me grumbullimin e parë”, tha ai, duke bërë të qartë se ishte gati të testonte edhe lojtarë të rinj për miqësoren e shkurtit kundër Anglisë në Londër.
“Të gjithë ata që luajnë në Brazil apo jashtë tij, mund të jenë të vlefshëm për rezultatet pozitive të skuadrës”, tha trajneri që i ka dhënë Kupën e Botës Brazilit në Botërorin e vitit 2002. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 09 January 2013 09:32