Ronaldinjo ka përsëritur se objektivi i tij është të kthehet sa më parë në kombëtare dhe të bëhet pjesë e seleksionit që do të marrë pjesë në Botërorin 2014. Sipas tij, ky objektiv nuk është i pamundur dhe do të bëjë maksimumin për të qenë mes të përzgjedhurve për aktivitetin që zhvillohet pas 18 muajsh pikërisht në Brazil.
“Nuk ka ndjenjë më të shkëlqyer sesa të luash një Botëror në shtëpi, përballë tifozëve të tu. Unë nuk dua ta humbas një mundësi të tillë”, tha Ronaldinjo, i pranishëm në një eveniment në Indi. “Kam besim dhe kam ende shumë pasion si për futbollin, ashtu edhe për Brazilin, ndaj kjo do të më shtyjë të provoj të kthehem te skuadra që dua më shumë se të gjitha”.
“Dua të bëhem pjesë e Kupës së Botës. Do të ishte momenti më i bukur i jetës sime dhe i shumë personave të tjerë në Brazil. Dua të rifitoj formën time të mirë dhe e di që mund të kontribuoj për kombëtaren. Prioriteti im është që të shfaqem gati kur të më jepet një mundësi e tillë”, tha futbollisti që sapo ka rinovuar kontratën e tij me Atletiko Mineiro.
Tani kombëtarja drejtohet nga një person që e njeh mirë, trajneri Luiz Felipe Skolari, i cili drejtoi ekipin në të cilin bënte pjesë edhe Ronaldinjo në suksesin e vitit 2002.
“Kupa e Botës do të jetë një arenë e shkëlqyer për lojtarët e rinj si Neimar dhe Leandro Damiao, në mënyrë që edhe ata të prezantohen siç bëra unë në vitin 2002. Unë do të ofroj gjithë eksperiencën time për t’i ndihmuar”, ishin fjalët e 32 vjeçarit. (LajmeShqip.com)
Sunday, 30 December 2012 09:23