Skënderbeu vazhdon i pandalur marshin në kreun e Kategorisë Superiore, duke mbyllur me një fitore fazën e parë dhe duke marrë titullin “Kampion i dimrit” pa asnjë humbje dhe me një distancë të ndjeshme prej 10 pikësh nga Teuta e vendit të dytë.
Në takimin e sotëm, skuadra e Mirel Josës ka fituar përballë Kukësit, ekipit surprizë të këtij sezoni, falë golave në pjesën e dytë nga Orelesi dhe Dimo që kanë thyer barrikadën e ndërtuar nga kuksianët e drejtuar nga Cungu. Superioriteti që po tregojnë korçarët në këtë sezon ka bërë që tashmë lufta për titull të cilësohet thuajse e përfunduar dhe ekipet e tjera të mendojnë vetëm për të luftuar për vendet që çojnë në Europa League në sezonin e ardhshëm.
Vendi i dytë për momentin i përket ekipit të Teutës, që ka fituar 3-1 ndaj Tomorit në sfidën e sotme, me protagonist kryesor mesfushorin Flamur Tairi, autor i dy golave. Ekipi durrsak duket se ashtu si në sezonin e kaluar do të jetë një nga protagonistët mes skuadrave që luftojnë për pozitat e nderit në kampionat.
Një skuadër që duket se është dorëzuar në këtë objektiv duket Vllaznia, e cila është mundur 3-2 në Krujë nga Kastrioti vendas dhe tashmë është larg çdo pretendimi të mundshëm. Heroi i takimit për krutanët ka qenë Erald Turdiu, autor i dy golave në këtë sfidë. (LajmeShqip.com)
Kategoria Superiore
Java 13 / Rezultatet
Shkumbini-Luftëtari 2-1
68’ Lluca, 80’ Duka / 41’ Mersini
Kastrioti-Vllaznia 3-2
16’ Fataki, 53’ 85’ Turdiu / 49’ Rexha, 83’ Dragoi
Teuta-Tomori 3-1
76’ Pajaziti, 79’, 86’ Tairi / 89’ Mile
Skënderbeu-Kukësi 2-0
64’ Orelesi, 88’ Dimo
Saturday, 01 December 2012 20:16