Java e 12-të e Kategorisë Superiore ka dhuruar një barazim spektakolar mes Vllaznisë dhe Flamurtarit në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës, në një ndeshje që vinte përballë dy ekipe me shumë pretendime, por që gjenden shumë larg kreut të klasifikimit.
Vlonjatët kanë dominuar pjesën më të madhe të ndeshjes, duke shënuar 3 herë në portën e shkodranëve, të cilët u braktisën edhe nga tifozeria në fillimin e pjesës së dytë të takimit. As vetë tekniku Shpëtim Duro nuk mund të besonte te një përmbysje e ekipit të tij, ndërsa nuk ka festuar kur kosovari Rexha ka shënuar golin e rezultatit 1-3 në minutën e 63-të. Por pasi Deliç ka shënuar golin e dytë për shkodranët, vendasit janë zgjuar dhe janë hedhur tërësisht në sulm. Heroi i kuqebluve ka qenë pikërisht Rexha që ka shënuar në minutën e 5-të shtesë të ndeshjes, për t’i dhënë kësaj skuadre një pikë për moral dhe që praktikisht ka shpëtuar pankinën e Duros i cili kishte lënë të kuptonte se mund të largonte sulmuesin kosovar.
Një skuadër që po rishkruan historinë e kampionatit shqiptar është Kukësi, që është kthyer sot në vendin e dytë në renditjen e Kategorisë Superiore falë fitores 3-1 ndaj Kastriotit. Edhe pse miqtë kanë shënuar atë parët me Dajën, kuksianët kanë përmbysur rezultatin me gola të Prognit, Popoviç dhe Allmuçës, duke marrë tri pikë të rëndësishme që i kthejnë në pretendentë serioz për një vend në Kupat e Evropës në sezonin e ardhshëm. (LajmeShqip.com)
Kategoria Superiore
Java 12 / Rezultatet
Kukësi-Kastrioti 3-1
25’ Progni, 70’ Popoviç, 89’ Allmuça / 2’ Daja
Bylis-Tirana 1-0
68’ Bakiu
Tomori-Shkumbini 0-0
Vllaznia-Flamurtari 3-3
63’, 90’+5’ Rexha, 78’ Deliç / 27’ (ag) Osmani, 31’ Muzaka, 53’ Pepa
Saturday, 24 November 2012 20:31