Lionel Mesi vazhdon të thyejë rekorde duke ndihmuar Barcelonën të mundte Majorkën, ndërsa edhe Real Madrid iu gëzua një fitoreje në minutat e fundit në fushën e Levante.
Por Barcelona vuajti për të marrë një sukses 4-2 ndaj ekipit të drejtuar nga Hoakin Kaparro dhe u desh Mesi në formën më të mirë që të evitohej një përmbysje e bujshme e skuadrës vendase. Ksavi kaloi në avantazh ekipin katalanas me një goditje dënimi perfekte në minutën e 28-të, para se Mesi të shënonte golin e dytë në minutën e 44-të dhe të barazonte rekordin e 75 golave të shënuar në një vit kalendarik nga Pele. Ndërkohë, Tejo shënoi një minutë më vonë golin e tretë duke mbyllur me një avantazh të thellë pjesën e parë.
Por dy gola në 3 minuta bënë që Majorka të kthehej plotësisht në ndeshje dhe të rrezikonte dukshëm Barcelonën. Megjithatë, ishte Lionel Mesi që tregoi edhe një herë talentin e tij, duke shënuar golin e katërt për skuadrën e Vilanoves dhe të 76-tin në këtë vit kalendarik, duke lënë pas Pele dhe duke u vënë në ndjekje të Gerd Myler që mban rekordin absolut me 85 gola brenda të njëjtit vit.
Në ndeshjen e Real Madrid në fushën e Levante, ishte i riu Alvaro Morata që i siguroi 3 pikët ekipit të Murinjos me golin e tij në minutën e 83-të. Kristiano Ronaldo i kishte dhënë avantazhin skuadrës së tij në minutën e 21-të por pastaj ylli portugez u detyrua të largohej nga fusha në pushimin e ndeshjes për shkak të një dëmtimi të marrë në sy. Në pjesën e dytë, Levante barazoi rezultatin me Angel, ndërsa Ksabi Alonso humbi një penallti që mund t’i jepte përsëri avantazhin madrilenëve. Por Murinjo gjeti zëvendësimin e duhur, duke dërguar në fushë Morata, i cili që në kontaktin e parë me topin arriti të shënonte golin e kësaj fitoreje që ruan distancën e 8 pikëve mes madrilenëve dhe katalanasve. (LajmeShqip.com)
Primera Division
Java 11 / Rezultatet
Real Vajadolid-Valencia 1-1
65’ (p) Viktor Perez / 15’ Cisokho
Atletik Bilbao-Sevilja 2-1
27’ De Markos, 45’ Susaeta / 79’ (p) Negredo
Majorka-Barcelona 2-4
55’ Pereira, 58’ (p) Viktor / 28’ Ksavi, 44’, 70’ Mesi, 45’ Tejo
Atletiko Madrid / Getafe 2-0
24’ Adrian, 43’ Turan
Levante-Real Madrid 1-2
62’ Angel / 21’ Kristiano Ronaldo, 84’ Alvaro Morata
Monday, 12 November 2012 07:46