Java e fundit në kampionatin spanjoll ka shfaqur një detaj të pazakontë, që kishte më shumë se një vit që nuk ndodhte: nuk gjetën rrugën e rrjetës as Lionel Mesi, as Kristiano Ronaldo e as Radamel Falkao. Barcelona dhe Real Madrid shënuan gola me shumicë dhe fituan, por yjet e tyre nuk gjetën rrjetën, ndërsa kolumbiani i Atletiko Madrid pa ekipin e tij të mundej përballë Valencias.
Hera e fundit kur asnjë prej këtyre tre lojtarëve nuk gjeti rrugën e rrjetës në kampionat ishte në 26 tetorin e vitit 2011. Barcelona vizitonte Granadan dhe fitoi minimalisht me një goditje dënimi të Ksavi. Real Madrid fitonte 3-0 atëherë ndaj Vijareal, por golat e ndeshjes mbajnë firmën e Benzema, Kaka dhe Di Maria. Ndërsa Atletiko Madrid mundej pastër 3-0 në fushën e Atletik Bilbao, skuadrës që pak muaj më vonë do të kthehej në objektivin e preferuar të Falkaos.
Që nga ajo kohë, mes dy kampionateve, janë 38 javë radhazi që të paktën një mes Mesi, Kristiano Ronaldo e Falkao ka gjetur rrugën e rrjetës.
Si rrjedhojë e mungesës së golave nga kjo treshe, renditja e golashënuesve më të mirë të sezonit ka mbetur e pandryshuar dhe sheh përsëri argjentinasin në kryesim me 13 gola, i ndjekur nga portugezi me 11 gola (duke i dhënë fund serisë prej 8 ndeshjesh radhazi si shënues), si dhe kolumbiani me 10. (LajmeShqip.com)
Monday, 05 November 2012 15:01