Kukësi ka dhuruar çudinë e radhës në futbollin shqiptar, duke mundur Tiranën në kryeqytet dhe duke qenë tashmë pretendent për një vend mes skuadrave që do të luajnë në kupat e Evropës në sezonin e ardhshëm.
Në ndeshjen e zhvilluar në kryeqytet, skuadra e drejtuar nga Armando Cungu ka triumfuar përsëri ashtu si në Kupë ndaj bardhebluve, në drejtimin e të cilëve këtë radhë ishte Alban Tafaj, e jo Lekbello i dorëhequr. Të mbështetur nga 2 mijë tifozë kuksianë të pranishëm në stadiumin “Qemal Stafa”, Kukësi ka kaluar në avantazh në minutën e 19-të falë penalltisë së Allmuçës dhe më pas ka menduar si të mbrojë këtë avantazh. Tirana e udhëhequr nga Klodian Duro ka provuar në të gjitha mënyrat të gjejë barazimin dhe e ka arritur atë vetëm në minutën e 63-të me Gilaman Likën.
Por entuziazmi i kryeqytetasve nuk ka zgjatur shumë, pasi miqtë kanë gjetur golin e fitores me kosovarin Hoxha, duke siguruar këto tre pikë të arta që i mbajnë në vend të dytë, me pikë të barabarta me Vllazninë e Teutën. Duhet thënë se debutuesit në Kategorinë Superiroe janë i vetmi ekip përveç Skënderbeut kryesues që nuk ka njohur ende humbje në këtë kampionat. (LajmeShqip.com)
Tomori-Bylis 0-0
Tirana-Kukësi 1-2
63’ Lika / 19’ (p) Allmuça, 74’ Hoxha
Teuta-Vllaznia 1-0
27’ Mancaku
Sunday, 04 November 2012 19:19