Skënderbeu është ndalur në një barazim 1-1 ndaj Besës në takimin e luajtur sot në Kavajë, në një ndeshje mjaft interesante të dy skuadrave që këtë vit janë protagoniste për objektiva të rëndësishëm.
Kavajasit, nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja, i janë kthyer kohëve të lavdishme dhe aktualisht mbajnë vendin e tretë në renditje, duke zhvilluar një futboll mjaft të mirë, siç ndodhi edhe përballë kampionëve të Skënderbeut. Vendasit ishin të parët që kaluan në avantazh me anë të Mihanit, por kur kishin mbetur edhe 12 minuta deri në vërshëllimën përfundimtare të ndeshjes, Plaku gjeti golin e barazimit që i dha një pikë mjaft të rëndësishme ekipit korçar që vazhdon të jetë i shkëputur në kreun e renditjes.
Në vendin e katërt përkohësisht është ngjitur Laçi, që ka mundur pa probleme 3-0 Luftëtarin falë golave të Vucaj e Buljan që në minutat e para të ndeshjes, ndërsa rezultati 3-0 u vulos në pjesën e dytë nga Nimani.
Hapa lart në renditje bëri edhe Flamurtari, që fitoi 3-0 kundër Kastriotit. Vlonjatët kaluan në avantazh në fundin e pjesës së parë, ndërsa siguruan rezultatin vetëm në fundin e takimit falë Migen Memellit. Sulmuesi fillimisht ishte protagonist me pasimin e tij për Muzakën, ndërsa pak minuta më vonë shënoi edhe vetë në portën e krutanëve.
Një ndeshje mjaft e tensionuar ka qenë ajo mes Shkumbinit dhe Apolonisë, e përfunduar me rezultatin e bardhë 0-0. Shkak i këtij tensioni është bërë anulimi i një goli për ekipin peqinas, që ka sjellë edhe protesta të ashpra, të cilat si zakonisht fillojë nga tribuna VIP. Fatmirësisht, këtë radhë nuk ka patur të dëmtuar nga këto incidente, por vetëm dëme materiale, pasi tifozët kanë hedhur sende në fushën e lojës, përfshire edhe ndenjëset e stadiumit. (LajmeShqip.com)
Kategoria Superiore
Java 9 / Rezultatet
Laçi-Luftëtari 3-0
12’ Vucaj, 14’ Buljan, 65’ Nimani
Shkumbini-Apolonia 0-0
Besa-Skënderbeu 1-1
67’ Mihani / 78’ Plaku
Flamurtari-Kastrioti 3-0
45’ Veliu, 88’ Muzaka, 90’ Memelli
Saturday, 03 November 2012 19:47