Grupi i punës i FIFA-s, i përbërë nga ish-futbollistë të njohur si Franc Bekenbauer e Pele, ka “dështuar me sukses” në detyrën për të bërë më entuziazmuese Kupën e Botës 2014 nëpërmjet ndryshimeve të mundshme në rregulloret e futbollit.
“‘FIFA Task Force Football 2014’, e cila ka filluar punën në majin e vitit 2011, ka përfunduar punën e saj, pas diskutimeve të shumta mbi reformat e ndryshme në lojën futbollit”, shkruhet në lajmërimin e publikuar nga FIFA, ku përveç çështjes së shtrëngimit të duarve pas ndeshjes, nuk duket se ka sugjerime të tjera të vyera nga ky grup ekspertësh ndërkombëtarë.
Ky grup pune, mendohej të gjente mënyra se si të bënte argëtuese ndeshjet e futbollit, por që në fillimet e tij u pa qartë se personat e përfshirë nuk ishin shumë të interesuar të punonin për të përmirësuar lojën e futbollit. Që në mbledhjen e parë munguan emra si Franc Bekenbauer dhe Bobi Çarlton, ndërsa vetë Pele nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje të organizuar në 1 vit e gjysmë.
Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, mendonte se ky grup do të ishte në gjendje të diskutonte anët pozitive dhe negative të një kthimi të mundshëm të “golit të artë” si dhe heqjes së kohëve shtesë, për të kaluar direkt te penalltitë.
Por e vetmja gjë që FIFA mori nga ky komision ishte që në fund të çdo ndeshje të Botërorit 2014, lojtarët duhet të mblidhen me kundërshtarët dhe të shtrëngojnë duart në shenjë respekti, ndërsa duhet të hyjnë të gjithë bashkë në fushë edhe pas pushimit të ndeshjes.
Si rrjedhojë, FIFA vendosi mbylljen e punës së komisionit, duke e cilësuar krejtësisht të panevojshëm dhe një shpenzim të kotë, pasi anëtarët e tij paguheshin për çdo “ide brilante” që prodhonin, pavarësisht se ato nuk u morën asnjëherë në shqyrtim. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 31 October 2012 15:01