Skënderbeu ka hedhur fuqimisht kandidaturën për titullin e tretë kampion radhazi në Kategorinë Superiore falë fitores 2-0 ndaj Tiranës që i mundëson korçarëve të shkëputen më tej në kreun e klasifikimit.
Në sfidën e javës së 8-të, pritej që ekipi i drejtuar nga Mirel Josa të shfaqte vështirësi përballë Tiranës, por në fakt nuk ka ndodhur kështu pasi bardheblutë janë mundur pa shumë histori në Korçë me rezultatin 2-0. Heroi i vendasve ka qenë i zakonshmi Pero Pejiç, i cili me dy golat e tij në pjesën e dytë ka vulosur këtë sfidë, të cilën kryeqytetasit e mbyllën me 10 lojtarë pas kartoni të kuq të Muçollarit.
Kjo fitore bën që Skënderbeu të shkëputet më tej në kreun e renditjes, duke patur tashmë 8 pikë avantazh ndaj Besës që luan të dielën në fushën e vështirë të Kastriotit. Ndërsa Tirana mbetet momentalisht në vendin e 3-të, në krizë të plotë rezultatesh pasi ka marrë vetëm 3 pikë në katër ndeshjet e fundit në kampionat, pa harruar disfatën e turpshme 4-0 në Kupën e Shqipërisë përballë Kukësit.
Ndërkohë, Flamurtari i është kthyer fitoreve falë 3 golave të Migen Memellit, i cili ka ndihmuar vlonjatët të triumfojnë 3-2 përballë Luftëtarit, në një sfidë të cilën deri 2 minuta para fundit po e humbnin 2-1. (LajmeShqip.com)
Kategoria Superiore
Java 8 / Rezultatet
Luftëtari-Flamurtari 2-3
9’ Shenaj, 61’ Liçaj / 59’, 89’, 90’ Memelli
Apolonia-Tomori 2-2
26’, 88’, Rama / 73’ Hysko, 83’ Mile
Skënderbeu-Tirana 2-0
50’, 77’ Pejiç
Saturday, 27 October 2012 21:15