Barcelona ka arritur një fitore të vështirë por shumë të vlefshme 2-0 ndaj Granadas, duke vazhduar ecurinë e saj perfekte në këtë fillim sezoni. Në pritje të ndeshjes së Real Madrid, katalanasit janë tashmë 11 pikë larg rivalëve të tyre kryesorë në luftën për titull dhe duket se në këtë sezon po u buzëqesh edhe fati, duke i ndihmuar në momentet kur ata nuk janë në maksimumin e tyre.
Në ndeshjen përballë Granadas, skuadra e Vilanovës ka shfaqur vështirësi për të gjetur rrugën e rrjetës dhe portieri Tono ka bërë mrekullitë sa herë që katalanasit arrinin të çanin murin para tij me gjuajtjet e tyre. Nervozizmi i theksuar i lojtarëve të Barçës për mungesën e golit u pasqyrua më së miri në minutat e fundit të pjesës së parë, kur Mesi dhe Vija ishin protagonistë të një debati të ndezur në fushë mes njëri-tjetrit, për shkak të një aksioni ku argjentinasi pretendonte se sulmuesi spanjoll duhej t’i kishte pasuar.
Me kalimin e minutave gjithçka u bë më e vështirë për katalanasit dhe kur ndeshja po shkonte drejt barazimit, ishte Ksavi që me një predhë nga jashtë zonës gjen rrjetën duke kaluar në avantazh skuadrën e tij në minutën e 87-të. Në minutën e dytë shtesë të takimit, një aksion individual i Mesit sjell edhe golin e dytë që vulosi ndeshjen, pasi Borja Gomez devijoi në portën e tij tentativën e “Pleshtit” për të pasuar në qendër për shokët e skuadrës.
Tani pritet përgjigja e Real Madrid që përballë kësaj ecurie të Barcelonës është i detyruar që tani të ketë kujdes e të mos lërë më pikë rrugës, nëse nuk dëshiron t’i dhurojë titullin katalanasve pa filluar mirë kampionati. (LajmeShqip.com)
PRIMERA DIVISION
JAVA 5 / REZULTATET
Real Saragoza-Osasuna 3-1
4’ Helder Postiga, 45’ (ag) Timor, 71’ (p) Aponjo / 29’ Armenteros
Selta Vigo-Getafe 2-1
57’ Fernandez, 69’ Park / 59’ Barrada
Betis-Espanjol 1-0
19’ Paulao
Barcelona-Granada 2-0
87’ Ksavi, 90’+2’ (ag) Borja Gomez
RENDITJA: Barcelona 15 pikë, Malaga 10, Betis 9, Majorka 8, Sevilja 8, Atletiko Madrid 7, Rajo Vajekano 7, Deportivo La Korunja 6, Real Vajadolid 6, Real Sociedad 6, Selta Vigo 6, Real Saragoza 6, Valencia 5, Real Madrid 4, Getafe 4, Levante 4, Atletik Bilbao 4, Granada 2, Espanjol 1, Osasuna 1.
Saturday, 22 September 2012 23:25