Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, ka deklaruar se mbrojtja e skuadrës së tij mund ta kishte bërë më të lehtë fitoren 2-1 përballë Austrisë në kualifikueset e Botërorit 2014. Skuadra gjermane shënoi dy gola me Reus dhe Ozil dhe kontrolloi ndeshjen për pjesën më të madhe të kohës. Por pasi Junuzoviç shkurtoi diferencën, Gjermania përjetoi disa minuta të tensionuara pasi kundërshtarët krijuan shumë raste të shkëlqyera për të marrë një barazim, raste të cilët nuk arritën t’i shfrytëzonin për fatin e mirë të ekipit gjerman që regjistroi fitoren e dytë në po aq ndeshje të luajtura.
“Kemi bërë shumë gabime. Secili nga rastet që krijoi Austria erdhi si pasojë e gabimeve tona. Ne lejuam Austrinë që të kthehej në lojë gjatë minutave të fundit të takimit”, ishte kritika publike e Lëv.
Kapiteni FIlip Lahm ka qenë një ndër më të kritikuarit për lojën e tij në këtë ndeshje, por ka qenë i pari që ka nxitur shokët e ekipit të përmirësohen për takimet e ardhshme.
“Kemi 6 pikë pas dy ndeshjeve. Ky është një fillim shumë i mirë. Por nuk duhet të jemi të lumtur me këtë ndeshje që zhvilluam. Kundërshtarët na vunë nën trysni shumë shpejt dhe nuk arritëm ta përballonim”, tha Lahm.
“Mund të jemi të lumtur me rezultatin dhe pikët, por jo me ndeshjen. Shanset e Austrisë erdhën nga gabimet tona”, ishin fjalët e portierit Manuel Nojer që rezultoi nga më të mirët në fushën e lojës. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 12 September 2012 13:52