Tirana ka filluar me një fitore minimale 1-0 përballë Tomorit kampionatin e saj, duke i dhuruar një buzëqeshje trajnerit spanjoll Rubio, i cili e ka ndjekur ndeshjen nga tribuna e stadiumit të Beratit pasi nuk ka firmosur ende kontratën e re me bardheblutë.
Në një ndeshje ku ekipi vendas ka dominuar me lojën e tij, bardheblutë u janë falur një 11-metërshi të transformuar saktësisht nga Klodian Duro në minutën e 31-të të sfidës, i mjaftueshëm për të marrë tri pikë të rëndësishme për moral, në këto momente ku skuadra duket në gjendje të vështirë. Shkak është jo vetëm rinovimi i Rubios, por edhe mungesa e zhvillimit të një merkatoje të mirëfilltë nga kryeqytetasit, të cilët janë paraqitur në këtë ndeshje edhe me më pak lojtarë në stol se sa lejon rregullorja.
Në takimet e tjera, Laçi nuk ka arritur të festojë me një fitore rikthimin para tifozerisë së vet në ndeshjen kundër Beses, pas pezullimit të 9 muajve më parë të dhënë për shkak të ngjarjeve të dhunës në stadiumin e këtij qyteti. Golit të Vucajt në minutat e para të ndeshjes i është përgjigjur Kaja, që ka siguruar një barazim të rëndësishëm në transfertë për ekipin kavajas.
Në barazim 1-1 ka përfunduar edhe ndeshja mes Apolonisë dhe Kastriotit, ku skuadra fierake është shfaqur me probleme dhe pa një trajner në pankinë, duke konfirmuar mendimin e përgjithshëm se është pretendente kryesore për rënien nga kategoria në fundin e këtij sezoni. (LajmeShqip.com)
Kategoria Superiore
Java 1
24.08.2012
Vllaznia–Skënderbeu 1-3
25.08.2012
Tomori–Tirana 0-1
Laçi-Besa 1-1
Apolonia-Kastrioti 1-1
26.08.2012
Shkumbini–Teuta
Kukësi-Luftëtari
Bylis-Flamurtari
Saturday, 25 August 2012 20:49