Presidenti i Federatës Ruse të Futbollit, Sergei Fursenko ka dhënë dorëheqjen, si pasojë e rezultateve të dobëta të kombëtares së këtij vendi në Euro 2012. Por vendimi i tij ka qenë disi i dyshimte, pasi ai është marrë menjëherë pas një takimi që ai ka patur me Presidentin rus, Vladimir Putin.
“Do të dëshiroja t’i kërkoja falje tifozëve tanë për këtë rezultat. Kam marrë vendimin e vështirë që të jap dorëheqjen”, ishin fjalët e Fursenkos, sipas asaj që raportohet nga Kremlini.
Fursenko, i cili është edhe anëtar i bordit ekzekutiv të UEFA-s, u caktua në postin e presidentit të Federatës Ruse të Futbollit në shkurtin e vitit 2010, pasi për 4 vite kishte qenë president i Zenit Shën Petersburg. Ai ishte personi përgjegjës për emërimin e Dik Advokat në stolin e skuadrës, duke injoruar një rinovim të mundshëm të Gus Hidink.
Por presidenti i nderit i Federatës Ruse, Viaçeslav Koloskov, ka hedhur dyshime mbi dëshirën e Fursenko për t’u larguar nga drejtimi i këtij institucioni, duke lënë të kuptohet se kjo ka qenë iniciativa e Putin.
“Kam një ndjesi se ka gjëra të tjera pas dorëheqjes së tij. Vetëm 3-4 ditë më parë, Fursenko deklaroi se po kërkonte për trajnerin e ri, që do të thotë se nuk kishte plane të largohej. Diçka ka ndodhur që e bëri të ndryshonte mendje”. (LajmeShqip.com)
Grupi A
Rusi-Republika Çeke 4-1
15’, 79’ Xhagoev, 24’ Shirokov, 82’ Pavliuçenko / 52’ Pilar
Poloni-Rusi 1-1
57’ Blazhçzikovski / 37’ Xhagoev
Greqi-Rusi 1-0
45’+2’ Karagunis
Tuesday, 26 June 2012 09:20