Kapiteni i Polonisë, Jakub Blazhçzikovski, ka fajësuar keqorganizimin e Federatës Polake të Futbollit për eliminimin nga Euro 2012, duke sqaruar se ekipi nuk e kishte mendjen te ndeshja me Çekinë deri pak orë para fillimit të saj.
Sipas tij, shkak është bërë pamundësia e lojtarëve për të siguruar bileta të kësaj ndeshje për familjarët e tyre, duke bërë përgjegjës direkt presidentin e Federatës, Grzegorz Lato.
“Është e rëndë të ankohesh tani se mund të duket si shfryrje inati. Por si kapiten unë duhet të jem përgjegjës për ekipin dhe si funksionon ai. Duhet të trajtoj tema të ndryshme. Nuk mund ta pranoj që para çdo ndeshje ne duhet t’i lutemi presidentit të Federatës t’i jap bileta familjarëve tanë. Çdokush po merr bileta, vetëm familjarët tanë kanë këto probleme”, tha Blazhçzikovski, duke lënë të shtangur gazetarët që nuk e pritnin një sulm të tillë.
“Kjo hoqi përqendrimin tonë nga fusha e lojës. Para çdo ndeshje, situata ishte e njëjtë. Ia thashë këtë presidentit pas ndeshjes në dhomat e zhveshjes. Nuk kam frikë nga përgjegjësitë. Presidenti thotë që ka një marrëdhënie të shkëlqyer me skuadrën por unë nuk e kam parë një gjë të tillë. Sa herë që ne kishim një diskutim, z. Lato nuk ka mbajtur asnjëherë fjalën e tij”.
Blazhçzikovski pranoi se vetëm biletat nuk ishin fajtore për eliminimin e Polonisë, por pranoi se kjo kishte ndikuar psikologjikisht para ndeshjes te e gjithë skuadra.
“Kjo çështje nuk ka lidhje direkte me eliminimin tonë, nëse luajtëm mirë apo keq. Familjet tona janë shumë të rëndësishme për ne dhe nuk e dinim nëse do të vinin në ndeshje apo jo. Deri në orët e vona para ndeshjes mu desh të merresha me gjëra të tilla”, përfundoi kapiteni 26 vjeçar i Polonisë. (LajmeShqip.com)
Grupi A
Poloni-Greqi 1-1
17’ Levandovski / 51’ Salpingidis
Rusi-Republika Çeke 4-1
15’, 79’ Xhagoev, 24’ Shirokov, 82’ Pavliuçenko / 52’ Pilar
Greqi-Republikë Çeke 1-2
53’ Gekas / 3’ Jiraçek, 6’ Pilar
Poloni-Rusi 1-1
57’ Blazhçzikovski / 37’ Xhagoev
Greqi-Rusi 1-0
45’+2’ Karagunis
Republika Çeke-Poloni 1-0
73’ Jiraçek
Renditja
R. Çeke 6 4-5
Greqi 4 3-3
Rusi 4 5-3
Poloni 2 2-3
Sunday, 17 June 2012 14:10