Në një vizitë të zhvilluar në Maltë, presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, ka bërë të qartë se të gjitha vendet duhet t adoptojnë “tolerancën zero” ndaj rasteve të manipulimit të ndeshjeve. Sipas tij, të gjithë ata që shpallen fajtorë, duhet të përjashtohen përjetësisht nga sporti i futbollit.
“UEFA ruan pozicionin e saj për tolerancën zero ndaj trukimeve të ndeshjeve, sidomos kur bëhet fjalë për përfshirjen e futbollistëve”.
“Lojtarët e përfshirë në manipulimet e ndeshjeve nuk duhet të lejohet të luajnë më futboll”.
“Ky fenomen po e vret këtë lojë dhe lojtarët duhet të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre. Në çështjet si racizmi, fokusohemi më shumë te tifozët, por në këtë rast ne mendojmë për lojtarët. Ky problem po prek shpirtin e kësaj loje”, tha Platini.
Malta është përfshirë vazhdimisht në skandale manipulimi ndeshjesh por presidenti i aktual i Federatës Malteze të Futbollit, Norman Darmanin Demajo, pak ditë më parë deklaroi se së shpejti do të bënte publike fakte për një skandal të jashtëzakonshëm që përfshinte kombëtaren e këtij vendi.
Mendohet se lojtarët e kombëtares malteze kanë manipuluar rezultatin e ndeshjes ndaj Norvegjisë për eliminatoret e Euro 2008, të përfunduar me rezultatin 4-0 në favor të skandinavëve. (LajmeShqip.com)
Monday, 02 April 2012 12:48