Nuk janë vetëm individë të veçantë ata që kanë përfituar nga trukimet e ndeshjeve në Itali, por edhe vetë klubet të cilat janë përfshirë pasivisht në manipulimet e rezultateve për qëllime të ndryshme. Të gjitha këto informacione dalin nga Prokuroria e Barit dhe Kremonës, ku hetimet kanë marrë një dretim tjetër, atë të hetimit të klubeve dhe drejtuesve të përfshirë.
Kush mendonte që sezoni i ardhshëm në Itali do të kishte shumë skuadra të penalizuara për trukimin e basteve, është gabuar rëndë, pasi këto skuadra thjesht nuk rrezikojnë të luajnë me pikë minus si Atalanta. Këta të fundi ishin të përfshirë indirekt, por nëse Prokuroria vërteton se drejtuesit e klubeve kanë trukuar rezultatet në favor të renditjes apo përfitimeve financiare, klubi shkon automatikisht te kategoritë amatore.
Sipas të dhënave të para, bëhet fjalë për tre ndeshje: Çezena-Bari 1-0 të datës 17 prill, Bari-Sampdoria 0-1 të datës 23 prill dhe Bari-Leçe 0-2 të datës 15 maj. Në këto ndeshje, edhe klubet kanë përfituar financiarisht pasi marrëveshjet janë bërë edhe mes drejtuesve.
Të gjitha skuadrat e mësipërme janë në hetim, por bashkë me to flitet edhe për të tjera, të shpërndara mes Serisë A dhe B si Lacio, Xhenoa, Atlanta e Novara, të gjitha ekipe që në rast penalizmi dhe rënie mes amatorëve, do të revolucionarizonin plotësisht kampionatin italian dhe kategoritë e tij. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 07 March 2012 14:51