Skandali i trukimeve të ndeshjeve në Itali ka marrë një kthesë shumë të rëndësishme pasi dy nga personat që akuzohen si protagonistë direkt të grupit të “ciganëve”, kroatët Vinko Saka dhe Alija Ribiç, janë dorëzuar në policinë italiane.
Të dy kërkoheshin me mandat ndërkombëtar nga Interpoli, por ata kanë vendosur të dorëzohen vetë dhe në orën 7 të mëngjesit kanë zbritur nga trageti në Ankona, duke u paraqitur para zyrtarëve të policisë italiane. Ata janë shoqëruar menjëherë në burgun e Kremonës, ku gjatë javës do të merren në pyetje nga hetuesi Guido Salvini.
Kontaktet mes tyre dhe drejtësisë italiane kanë qenë të shpeshta gjatë javëve të fundit dhe dorëzimi ka qenë konsensual. Ata kanë bërë të ditur edhe nëpërmjet dëshmive me shkrim që kanë lëshuar më parë se janë thjesht bastexhinj dhe se nuk janë pjesë e asnjë organizate kriminale.
Edhe ata mbrojnë teorinë e maqedonasit Hristijan Ilievski se ishin vetë futbollistët që i organizonin manipulimet e ndeshjeve dhe pastaj ua shitnin informacionin bastvënësve të ndryshëm.
Nëpërmjet këtij interpretimi, ata shpresojnë që në rastin më të keq të kryejnë disa muaj burg dhe më pas të jenë të lirë nga çdo lloj procedimi penal, për të vazhduar “punën” e lënë në mes që kur shpërtheu skandali në Itali. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 28 March 2012 13:07