Procesi për trukimet e ndeshje në kampionatin italian të futbollit ka filluar zyrtarisht me dorëzimin e njoftimeve që u janë dërguar klubeve dhe individëve për hetime sportive ndaj tyre.
Klubet e Serie A: Atalanta, Novara dhe Siena ishin mes 22 skuadrave të cilat u lajmëruan nga Federata Italiane se janë nën hetim rreth këtij skandali.
Klubet e tjera, të Serie B dhe Lega Pro janë: Albinolefe, Ankona, Askoli, Avesa, Kremonese, Empoli, Frosinone, Groseto, Livorno, Modena, Monza, Padova, Peskara, Piaçenca, Ravena, Rexhina, Rimini, Sampdoria and Specia. Siç shihet qartë, këtu përfshihet pjesa më e madhe e skuadrave të Serie B dhe në bazë të dënimeve të dhëna nga Federata Italiane rreth kësaj çështje, mund të ndryshojë krejtësisht renditja e këtij kampionati.
FIGC bëri të ditur se nën hetim janë 61 persona dhe 33 ndeshje, por deri tani të gjitha akuzat për manipulim rezultati të Atalantas, Novaras dhe Sienës janë për periudhën kur këto tre skuadra ishin në Serinë B.
Ndër emrat që do të paraqiten para prokurorit sportiv Stefano Palaci, bie në sy ai i kosovarit Rijat Shala. Sipas asaj që është mësuar nga verbalet e policisë, ky i fundit ka pranuar 150 mijë euro nga “ciganët”, mafia sllave e basteve, për t’ua shpërndarë shokëve të skuadrës para ndeshjes së Kupës së Italisë kundër Kievos, të humbur më pas me rezultatin 3-0.
Por çështja nuk mbaron këtu, pasi kjo është vetëm lista e hartuar në bazë të të dhënave të mbledhura nga Prokuroria e Kremonës. Palaci pret një dosje po aq të madhe nga Prokuroria e Barit, nga e cila pritet të dalin emrat e ekipeve dhe lojtarëve të tjerë të Serie A. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 09 May 2012 13:22