Prokuroria shqiptare ka filluar me iniciativën e saj, pas disa sinjalizimeve të UEFA-s, një hetim të gjerë për manipulimin e ndeshjeve të futbollit në kampionatin shqiptar. Duke parë se raportet e herëpashershme të UEFA-s të dërguara në adresë të FSHF rreth trukimeve kanë rënë në vesh të shurdhër dhe nuk është marrë asnjë masë konkrete ndaj manipuluesve të rezultateve, institucioni që drejton futbollin evropian ka vendosur që të dërgojë një kopje edhe në Prokurorinë e Përgjithshme të Shqipërisë, e cila është vënë menjëherë në lëvizje.
Gjatë javëve të fundit, janë siguruar përgjimet e telefonatave të drejtuesve të klubeve për ndeshjet që dyshohet si të manipuluara. Më pas, janë marrë në pyetje si vetë këto drejtues klubesh, ashtu edhe gjyqtarët e takimeve në fjalë apo edhe futbollistë.
Gjithçka është zhvilluar thuajse në fshehtësi të plotë si dhe është vendosur të anashkalohet FSHF, e cila deri tani nuk ka mbajtur një qëndrim konkret ndaj rasteve të dyshuara për manipulime.
Sipas asaj që ka publikuar sot e përditshmja sportive shqiptare “Panorama Sport”, një nga emrat që po hetohet aktualisht është ai i presidentit të Besës, Nexhat Bizhdili, nga përgjimet e telefonatave të të cilit është arritur në konkluzionin se ai kishte gisht në manipulimin e ndeshjeve. Ndonëse Bizhdili e ka hedhur poshtë këtë hipotezë, mendohet që Prokuroria e Përgjithshme ka prova të pakundërshtueshme të implikimit të tij, pasi në përgjimet telefonike në fjalë, numri 1 i skuadrës kavajase ka dhënë disa rezultate ndeshjesh, të cilat më pas janë konfirmuar saktësisht në fushën e lojës.
Nuk është bërë e ditur ende se për cilat ndeshje bëhet fjalë, por e vetmja gjë që dihet është se janë të këtij edicioni të Kategorisë Superiore. Sipas raporteve ndërkombëtare, kampionati shqiptar i futbollit mban numrin rekord të ndeshjeve të manipuluara në 3 vitet e fundit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 20 April 2013 20:33