Prokuroritë e Kremonës, Barit dhe Napolit po bëhen gati tashmë të fillojnë publikimin e detajeve të skandalit të basteve në Itali, me rezultate të jashtëzakonshme. Sipas asaj që bëjnë të ditur mediat italiane, urdhër-arrestet për personat e përfshirë do të lëshohen diku nga fundi i muajit prill, por është e sigurt që kjo lëvizje do të tronditë me rrënjë sistemin e futbollit në Itali e jo vetëm.
Në fillim ishte Prokuroria e Kremonës që hapi çështje, duke iu bashkuar më pas asaj të Napolit e Barit. Nga kjo e fundit ka dalë në skenë edhe bashkëpunimi mes mafias së “Sacra Corona Unita”, “ciganëve”, klubeve e lojtarëve. Në Bari rezultojnë të hetuar 17 persona, mes të cilëve 6 futbollistë. Sipas asaj që mësohet, situata është aq tragjike sa hetuesit po analizojnë thuajse 50% të ndeshjeve të luajtura nga skuadra e këtij qyteti në sezonin e kaluar.
Në Kremona, hetuesit kanë në vëzhgim 120 persona, nga të cilët 41 janë futbollistët që ka përmendur Karlo Gervasoni.
Me vazhdimin e hetimeve, duke i hyrë më në thellësi çështjes, hetuesit kanë zbuluar edhe fakte të tjera si tentativën e “ciganëve” për të blerë disa skuadra të Serisë B dhe Prima Divisione, tentativa manipulimi të ndeshjeve paraeliminatore të Ligës së Kampioneve dhe Europa League, ashtu si edhe ndeshje si Argjentina-Bolivi, Estoni-Bullgari dhe Lituani-Bolivi. Janë të paktën 200 ndeshje të tjera në kategoritë inferiore gjermane, hungareze, boshnjake, kroate, zvicerane e franceze.
Në Napoli, ndeshjet nën hetim janë që tani 150 dhe mes të hetuarve është edhe trajneri Hektor Kuper. Ndërkohë, disa nga personazhet kanë dalë në publik duke bërë emra lojtarësh e skuadrash të tjera.
Mes emrave të futbollistëve që pritet të merren në pyetje është edhe ai i futbollistit me origjinë kosovare, Rijat Shala, për pjesëmarrje në trukimin e ndeshjes Kievo-Novara, si person i përfshirë direkt.
Emra të famshëm që do të paraqiten para hetuesve janë ata të Bertani (Sampdoria), Pesoli (Siena), Benasi (Leçe), Pelisier (Kievo), Luçiano (Kievo), Padeli (Udineze), Rosi (Çezena) dhe Parisi (Torino). (LajmeShqip.com)
Monday, 26 March 2012 14:35