Klasikja mes Realit të Madridit dhe Barcelonës ka hapur edhe njëherë polemikat mbi mënyrën e lojës së madrilenëve në sfida të tilla, e sidomos atë të portugezit Pepe. Ky i fundit cilësohet si një nga futbollistët më jokorrektë dhe e ka treguar më së miri fillimisht duke stimuluar në mënyrë të dukshme ndaj një prekje të lehtë të Fabregas, e më pas duke shkelur dorën e Mesit që gjendej i shtrirë në tokë.
Kjo ngjarje ka sjellë reagimin jo vetëm të publikut madrilen që e ka përcjellë me vërshëllima zëvendësimin e tij por edhe të futbollistëve që po shihnin ndeshjen nga ekranet e televizorëve.
Sulmuesi i Mançester Junajtid, Uejn Runi, një personazh i cili shpesh është dënuar për gjeste antisportive, ka komentuar menjëherë në Twitter atë që ka parë rreth incidentit në fjalë.
“Pepe. Çfarë idioti! Disa herë njerëzit nxehen kot”, ishte komenti i Runit që më pas është pasuar nga të tjerë. “Haha. Atë gol e meriton Pepe”, ishte komenti tjetër i sulmuesit pak sekonda pasi Mesi gjeti të lirë Abidal dhe ky i fundit shënoi golin e fitores.
Ndërkohë, edhe mesfushori anglez Xhek Uilshair e dënoi gjestin e portugezit. “Pepe, sa i lodhur!”, ishin fjalët e tij në Twitter.
Gjesti i madrilenit është dënuar edhe nga Zhoze Murinjo, i cili ka pranuar se mund të ketë sanksione për futbollistin, i cili këtë radhë kishte tejkaluar çdo normë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 19 January 2012 09:59